Achraf Hakimi do të përballet me gjyq në Francë për akuzën e përdhunimit të vitit 2023

Lajme

Gjykata e Apelit në Francë ka konfirmuar se futbollisti i PSG-së dhe i Marokut, Achraf Hakimi, do të dalë në gjyq për çështjen e përdhunimit, ndërsa data e nisjes së procesit ende nuk është caktuar.

Vendimi i Gjykatës së Apelit në Versajë u mor sot (e premte), vetëm disa orë përpara ndeshjes Marok-Skoci në Grupin C të Kupës së Botës.


Më herët, Hakimi kishte kundërshtuar vendimin e gjyqtarit hetues të muajit shkurt, i cili erdhi pas rekomandimit të prokurorisë që çështja të kalonte në gjykim.

Lojtari i mohon akuzat. Akuzat paraprake për përdhunim ndaj tij u ngritën në mars 2023, pasi një grua 24-vjeçare deklaroi se futbollisti e kishte përdhunuar në shtëpinë e tij në periferi të Parisit.

Avokatja e paditëses, Rachel-Flore Pardo, tha se vendimi i gjykatës i ka sjellë lehtësim dhe shpresë klientes së saj.

“Ndjej lehtësim që sistemi i drejtësisë e dëgjoi dhe se çështja e saj do të shqyrtohet në gjyq. Shpresa e saj është që ky gjyq do të ndihmojë gratë e tjera dhe do ta dobësojë më tej fortesën e mohimit dhe pandëshkueshmërisë që rrethon dhunën seksuale, përfshirë edhe në botën e futbollit të meshkujve”, tha ajo në një deklaratë për AP.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin X, Hakimi pretendoi se çështja nuk do të kishte ekzistuar po të mos ishte bërë publike.

“Drejtësia më pa në sy dhe më tha: ‘Nëse nuk do të ishe i famshëm, kjo çështje nuk do të kishte ndodhur kurrë’”, shkroi Hakimi.


Ai shtoi se kishte heshtur për vite, pasi besonte se dinjiteti, durimi dhe besimi te sistemi gjyqësor do ta çonin çështjen drejt vendimit të duhur.

Avokatja e tij, Fanny Colin, tha se, sipas qëndrimit të mbrojtjes, shumë elemente të zbuluara gjatë hetimit do të kishin sjellë në çdo rast tjetër pezullimin e procedurave. Ajo shtoi gjithashtu se gjatë procesit ishin evidentuar kundërthënie dhe deklarata të pasakta nga paditësja. Një datë për gjyqin ende nuk është bërë e ditur.

Promo