Afati kalimtar te Real Madridi ka hyrë në fazën më intensive dhe gjithçka lë të kuptohet se kjo verë do të sjellë më shumë ndryshime nga sa ishte menduar fillimisht, sidomos në mesfushë. Largimi i Dani Ceballos, që sipas raportimeve është pranë përfundimit, mund të jetë vetëm lëvizja e parë e një operacioni më të gjerë brenda skuadrës madrilene.
Pas afrimeve të Marc Cucurella, Denzel Dumfries, Bernardo Silva dhe Ibrahima Konate, drejtuesit e klubit e dinë se do të duhen edhe dalje të rëndësishme për ta ekuilibruar ekipin, si për nga numri i lojtarëve ashtu edhe për nga masa e pagave.
Real Madridi ka investuar ndjeshëm gjatë dy afateve të fundit kalimtare. Vetëm verën e shkuar, klubi shpenzoi rreth 200 milionë euro për të transferuar Dean Huijsen, Alvaro Carreras, Franco Mastantuono dhe Trent Alexander-Arnold.
Trajneri Jose Mourinho u ka bërë të qartë drejtuesve dëshirën e tij: afrimin e një mesfushori të nivelit të lartë, që të përshkojë shumë terren në fushë, të kontribuojë në të dyja fazat e lojës dhe të organizojë aksionet me vizion. Në mesin e objektivave kryesorë janë Enzo Fernandez i Chelseat dhe Mateus Fernandes i West Hamit.
Sipas gazetarit Jose Felix Diaz, lojtari që aktualisht gjendet në pozitën më të ndërlikuar është Eduardo Camavinga. Mesfushori francez e ka humbur gradualisht peshën e tij në skuadër dhe sezonin e kaluar luajti vetëm rreth 43 për qind të minutave të mundshme, një shifër e ulët për një futbollist që konsiderohej pjesë thelbësore e projektit.
Një tjetër emër që po lakohet është Aurelien Tchouameni, edhe pse situata e tij paraqitet ndryshe. Ish-mesfushori i Monacos kaloi një nga sezonet më të mira në planin individual, ndonëse skuadra nuk arriti të fitonte trofe.
Tchouameni vazhdon të gëzojë vlerësim të madh në tregun evropian dhe një shitje e mundshme e tij do t’i sillte Real Madridit përfitime të rëndësishme financiare. Klubi pagoi 80 milionë euro për transferimin e tij në vitin 2022 dhe, njësoj si në rastin e Camavingas, një largim me ofertën e duhur do të hapte rrugë për afrimin e mesfushorit që kërkon Mourinho.
Në të njëjtën kohë, mbetet të shihet nëse përplasja e fundit mes Tchouamenit dhe Fede Valverdes do të ndikojë në vendimmarrjen e klubit. Gjithsesi, sipas burimeve pranë Real Madridit, kjo çështje konsiderohet tashmë e mbyllur dhe e zgjidhur brenda grupit.//


