Celje, kampioni i Sllovenisë, ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e futbollistit kosovar Veton Tusha nga Drita.
Klubi slloven bëri të ditur se ka arritur marrëveshje me kampionin e Kosovës për kalimin e anësorit 23-vjeçar, i cili ka firmosur një kontratë afatgjatë deri më 30 qershor 2029.
Në njoftimin e publikuar, Celje vlerësoi se Tusha kishte lënë mbresa të mëdha në duelet mes dy skuadrave në eliminatoret e Ligës së Konferencës, aty ku shpejtësia dhe cilësitë e tij në fazën sulmuese kishin vënë shpesh në vështirësi mbrojtjen sllovene.
Tusha ishte ndër lojtarët më të rëndësishëm të Dritës në sezonet e fundit, duke kontribuar që skuadra nga Gjilani ta fitojë titullin e kampionit të Kosovës për të dytin vit me radhë.
Rrugëtimi i tij në futboll nisi në Kaçanik, për të vazhduar më pas te Vardari, para se të transferohej në Turqi. Te Denizlispor ai u dallua që në moshë të re, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i Superligës turke në moshën 18-vjeçare.
Më pas provoi një eksperiencë në Poloni te Termalica, por pa mundur të debutojë, për t’u rikthyer më vonë në futbollin kosovar.
Me Ballkanin fitoi dy tituj kampioni rresht, ndërsa pati edhe një periudhë të shkurtër te Dinamo City në Shqipëri.
Në dy sezonet e fundit me Dritën, Tusha regjistroi 16 gola dhe gjashtë asistime, statistika që e bindën Celjen të investojë në shërbimet e tij.


