“Më e rëndësishmja është mënyra si përgjigjesh” – Tuchel komenton triumfin ndaj Kroacisë

Lajme

Përfaqësuesja e Anglisë e nisi me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës, duke e mposhtur Kroacinë me rezultatin 4-2 në Arlington, në ndeshjen e parë të Grupit L.

“Tre Luanët” kaluan dy herë në avantazh në pjesën e parë falë Harry Kane, por kroatët arritën të kundërpërgjigjen në të dy rastet. Fillimisht, Martin Baturina shënoi një gol mjaft të bukur për 1-1, ndërsa Petar Musa barazoi në 2-2 pak para fundit të pjesës së parë, duke bërë që skuadrat të shkonin në pushim me gjithçka të hapur.


Sidoqoftë, anglezët e ngritën ritmin pas pushimit dhe e kontrolluan ndeshjen. Jude Bellingham riktheu epërsinë për skuadrën e drejtuar nga Thomas Tuchel, ndërsa Marcus Rashford vulosi suksesin me golin e 4-2, duke u siguruar favoritëve të grupit tre pikët e para.

Pas përfundimit të takimit, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, u shfaq i kënaqur me reagimin e ekipit të tij, teksa pranoi se paraqitja në pjesën e parë nuk ishte në nivelin e kërkuar.

“Ishte një ndeshje e fortë ndaj një rivali cilësor, luajtëm dobët në pjesën e parë, por në të dytën ishim shumë më të mirë dhe më energjikë. Është fitorja e parë dhe jemi të lumtur për tifozët”, deklaroi pas ndeshjes trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, për të vazhduar:

“Reaguam në mënyrë të shkëlqyer në pjesën e dytë pas një pjese të parë të dobët. Krijuam shumë dhe e merituam fitoren. U bëmë pasivë pasi shënuam dhe u ndëshkuam për këtë, por më pas reaguam mirë. Gjëja më e rëndësishme është mënyra si reagon pasi pëson një gol.”

Me këtë fitore, Anglia bën një hap të rëndësishëm drejt fazës së eliminimit direkt dhe përforcon statusin si një nga pretendentët kryesorë për triumfin në Botëror. Në anën tjetër, Kroacia do të synojë të rikthehet në ndeshjet e ardhshme për të mbetur në garë për kualifikim.

Promo