Futbollistët e përfaqësueseve të Gjermanisë, Zvicrës dhe Norvegjisë kanë ngritur shqetësime për mundësinë që të përballen me gjarpërinj helmues gjatë kampeve të tyre përgatitore.
“Dje pamë një gjarpër; na thanë se ishte helmues. Nëse të kafshon, duhet të shkosh në spital”, është shprehur Joshua Kimmich.
Kapiteni i Gjermanisë bëri të ditur se në qendrën e tyre në Karolinën e Veriut ishte parë një gjarpër helmues i quajtur kokëbakri. Kafshimi i tij zakonisht nuk rezulton fatal, por konsiderohet i rrezikshëm.
Në një prononcim për BBC, mesfushori i Bayern Munich tha me shqetësim: “Po stërvitemi këtu për turneun më të rëndësishëm në futboll dhe papritur lojtarët po shohin tokën para çdo hapi”.
“Po mundohemi të qëndrojmë larg kafshëve këtu. I respektoj njerëzit këtu. Kam ndjesinë se në Gjermani nuk ka kaq shumë kafshë të rrezikshme”.
Kafshimi nga gjarpri kokëbakër zakonisht nuk është vdekjeprurës, por ka shkaktuar shqetësim në Gjermani, Norvegji dhe Austri, ndërsa për këdo që kafshohet rekomandohet trajtim mjekësor.
Edhe Erling Haaland me Norvegjinë janë të vendosur në Karolinën e Veriut dhe po qëndrojnë në gatishmëri për praninë e këtyre zvarranikëve.
“Kjo nuk më duket aspak e këndshme”, ka deklaruar kapiteni i Norvegjisë, Kristian Thorstvedt, pasi u informua për praninë e kokëbakrit.
Në Kaliforni, ekipi kombëtar i çiklizmit të Austrisë u ndalua të stërvitej me biçikleta në bazën e tij në Santa Barbara për shkak të shqetësimeve që lidhen me gjarpërinjtë.
Nga ana tjetër, Zvicra, që është e vendosur në San Diego, ka caktuar një pjesë të kampit të saj si zonë të mbrojtur nga gjarpërinjtë.


