Xherdan Shaqiri ka hedhur dyshime për të ardhmen e tij te Baseli, duke pranuar se largimi gjatë kësaj periudhe kalimtare është një mundësi konkrete.
Në një konferencë për shtyp, në nisje të përgatitjeve për sezonin e ri, mesfushori ofensiv u shpreh se nuk mund të sigurojë se do të mbetet pjesë e klubit zviceran edhe pas kësaj vere.
“Është e mundur që të largohem nga Baseli gjatë këtij afati kalimtar”, deklaroi Shaqiri para mediave.
Gjithsesi, 34-vjeçari nënvizoi se largimi nuk është synimi i tij parësor dhe se ndihet mirë te klubi, me të cilin ka ende edhe një vit kontratë.
“Në futboll, njësoj si në jetë, gjithçka mund të ndodhë. Asnjëherë nuk ka garanci”.
“Do të vëzhgoj me kujdes se çfarë po ndodh te Baseli. Do të shoh mënyrën se si po formohet ekipi. Dua një skuadër të mirë për ta udhëhequr”.
Fjalët e tij po shihen si një sinjal i qartë për drejtuesit e klubit, pas një sezoni zhgënjyes në krahasim me vitin e kaluar, kur Baseli fitoi dy trofe.
“Po mundohem të arrij rezultatet më të mira të mundshme. Edhe unë duhet të jap maksimumin, por për këtë më duhen edhe bashkëlojtarët”.
“Për momentin jam shumë i qetë. Jam shumë i lumtur te Baseli dhe kam ende një vit kontratë këtu”, përmbylli ai.
Deklaratat e Shaqirit pritet të rrisin interesin për të ardhmen e tij, ndërsa mbetet të shihet nëse drejtuesit e Baselit do t’i përgjigjen kërkesës së tij për një skuadër më konkurruese, apo nëse veterani do të zgjedhë një sfidë të re.


