“Ishte karton i kuq i padiskutueshëm”, ish-futbollisti thotë se Lionel Messi duhej të ndëshkohej me përjashtim

Lajme

Alejandro Moreno, ish-sulmuesi i Venezuelës, e ka kritikuar fort vendimin e arbitrit për të mos e përjashtuar Lionel Messin në triumfin 3-0 të Argjentinës kundër Algjerisë, në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026.

Rasti që nxiti debat ndodhi në minutën e 31-të, kur Messi ndërhyri nga pas ndaj mbrojtësit algjerian Aissa Mandi, duke e goditur me taka në pulpë.


Arbitri polak Szymon Marciniak sinjalizoi faull, por nuk e ndëshkoi kapitenin e Argjentinës as me karton të verdhë, ndërsa VAR-i nuk e thirri për ta rishikuar episodin. Ky vendim hapi debat të madh mes tifozëve dhe analistëve të futbollit.

Moreno u shpreh i bindur se ndërhyrja duhej të ndëshkohej me karton të kuq.

“Për Lionel Messin kjo është karton i kuq 100 për qind. Duhej të jepej, duhej të jepej”.

“Ka edhe një element tjetër që ngjall dyshime. Kjo lidhet me narrativën se futbollistët e mëdhenj trajtohen ndryshe. Kur Messi ishte pranë het-trikut dhe portieri ia ndali goditjen, kamerat kapën Gianni Infantinon duke buzëqeshur, sikur të thoshte: ‘Ah, ishte afër, ishte afër’”.

Moreno vijoi me kritikat e tij edhe për mungesën e reagimit nga VAR-i.

“Kur e sheh aksionin live, menjëherë të duket faull. Pastaj, kur e sheh përsëritjen, po, është një ndërhyrje që duhet shqyrtuar. Pse nuk u ftua Szymon Marciniak te monitori? Duhej të ishte karton i kuq për Lionel Messin”.

“Pavarësisht sa shumë e admiroj Lionel Messin, ai ishte një kontakt i rëndë dhe i gabuar. Kur shkel në pjesën e pasme të pulpës së një lojtari, nga gjuri deri te kyçi, duhet të përjashtohesh për këtë”, deklaroi Moreno.

Pavarësisht polemikave, Messi vazhdoi të shkëlqejë në pjesën e mbetur të ndeshjes. Sulmuesi argjentinas shënoi het-trik, i siguroi Argjentinës fitoren 3-0 dhe barazoi rekordin e Miroslav Klose me 16 gola në historinë e Kupave të Botës.

Promo