Një prej episodeve më të debatuara të Kupës së Botës 2026 u regjistrua në sfidën mes Francës dhe Senegalit, kur një vendim i arbitrit pas ndërhyrjes së VAR-it habiti jo vetëm tifozët dhe komentatorët, por edhe disa nga gjyqtarët më të njohur në botë.
Në minutën e 58-të, teksa rezultati ishte ende 0-0, sulmuesi francez Kylian Mbappe u rrëzua brenda zonës pas një kontakti me kapitenin e Senegalit, Sadio Mane. Arbitri Alireza Faghani u thirr nga VAR-i për ta rishikuar episodin në monitorin pranë fushës.
Pasi pa pamjet, Faghani u kthye në fushë dhe fillimisht la të kuptohej se do të jepte penallti për Francën. Por në fund ai sinjalizoi goditje nga porta, duke arsyetuar se ishte Mbappe ai që e kishte nisur kontaktin.
Ky vendim solli reagime të menjëhershme. Darren Cann, ish-ndihmës arbitër në finalen e Kupës së Botës 2010, tha për BBC se kishte marrë mesazhe nga disa prej gjyqtarëve më të mirë në botë, të cilët nuk arrinin të kuptonin pse nuk u dha penalltia.
“Telefoni im është mbushur me mesazhe nga gjyqtarë të nivelit më të lartë që gjithashtu nuk e kuptojnë pse nuk u akordua penallti”, u shpreh Cann.
Edhe ish-anësori i Skocisë, Pat Nevin, e përshkroi vendimin si “absurd”.
“Nuk ka asnjë logjikë. Si mund të thuhet se Mbappe e inicioi kontaktin? Është një nga shpjegimet më të pakuptimta që kam dëgjuar ndonjëherë”, tha ai.
Në të njëjtin qëndrim ishte edhe legjenda angleze Alan Shearer.
“Nuk e kuptoj aspak. Dallohet qartë ndërhyrja e Manes dhe fakti që këmba e tij e majtë godet Mbappen. Si mund të thuhet se Mbappe e inicioi kontaktin kur ai ishte përpara kundërshtarit? Është vërtet një vendim i çuditshëm”, deklaroi Shearer.
Pavarësisht debatit, Franca arriti të fitojë 3-1 ndaj Senegalit. Protagonisti kryesor ishte pikërisht Mbappe, i cili shënoi dy herë dhe hyri në histori si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Francën, duke lënë pas Olivier Giroud me 58 gola në 99 paraqitje.
Sulmuesi i Real Madridit vendosi edhe një rekord tjetër, duke u bërë realizuesi më i mirë i Francës në historinë e Kupës së Botës me 14 gola në vetëm 15 ndeshje të turneut.
Pas ndeshjes, edhe trajneri i Francës, Didier Deschamps, shfaqi pakënaqësinë e tij për vendimin.
“Sa i përket situatës në zonë, pati një rishikim nga VAR-i dhe nuk do t’ju them çfarë i thashë gjyqtarit të katërt. Kur arbitri tha se Kylian kishte nxjerrë këmbën përpara, nuk jam i sigurt se pashë diçka të tillë. Sipas mendimit tim duhej të jepej penallti. Por gjyqtari është gjithmonë ai që vendos”, deklaroi Deschamps.
Edhe Darren Cann mbeti i bindur se vendimi ishte i gabuar.
“Për mua ishte një penallti e qartë. VAR-i veproi drejt duke e dërguar gjyqtarin te monitori, ndaj jam jashtëzakonisht i habitur që ai nuk tregoi pikën e bardhë”, përfundoi ish-gjyqtari anglez.


