Ish-kapiteni i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ka komentuar paraqitjen e kombëtares helvetike në ndeshjen e saj të parë në Kupën e Botës 2026, ku Zvicra barazoi 1-1 me Katarin.
Legjenda e përfaqësueses zvicerane vlerëson se skuadra ka kapacitetin për të kaluar fazën e grupeve dhe nënvizon se ky duhet të jetë objektivi minimal në këtë Botëror.
“Çdo rezultat tjetër do të ishte pa dyshim një zhgënjim”, është shprehur Shaqiri.
Për herë të parë që prej vitit 2010, Zvicra po merr pjesë në një turne të madh pa Shaqirin, i cili i dha fund karrierës së tij me kombëtaren pas Kampionatit Evropian 2024. Gjatë rrugëtimit të tij me ekipin kombëtar, ai shënoi 32 gola me fanellën e Zvicrës.
Duke folur për përvojën e ndjekjes së ndeshjes nga distanca, Shaqiri pranoi se për të ishte një ndjesi e pazakontë të mos ishte pjesë e skuadrës.
“Ishte padyshim e çuditshme për mua, sepse zakonisht jam gjithmonë aty. Nga ana tjetër, pata mundësinë ta shihja gjithçka me qetësi, në rehatinë e shtëpisë sime, dhe ta analizoja të gjithën. Ishte gjithashtu mirë që këtë herë kisha më pak presion dhe munda ta ndiqja ndeshjen nga divani. Dhe natyrisht, ishte shumë bukur t’i mbështesja”, ka thënë Shaqiri.
Ai zbuloi gjithashtu se kishte marrë një ftesë nga FIFA për të qenë pjesë e ceremonisë hapëse të Kupës së Botës në SHBA, Kanada dhe Meksikë, por nuk kishte arritur të ishte i pranishëm.
“I kisha bërë të gjitha planet e mia. Do të kishte qenë vërtet interesante dhe fantastike të isha atje me të gjitha legjendat e FIFA-s dhe të ndiqja ceremoninë e hapjes. U thashë se mund të vija për finalen”, deklaroi ai.
Në fund, Shaqiri theksoi se arma kryesore e Zvicrës duhet të jetë loja kolektive dhe uniteti i grupit.
Sipas Shaqirit, Zvicra duhet të zbresë në fushë dhe të luajë si një grup i bashkuar. Ai thekson se vetëm kur skuadra luan si e tillë, mund të arrijë sukses.


