Përfaqësuesja e Francës ka siguruar tre pikët e para në Kupën e Botës 2026, pasi në ndeshjen hapëse të Grupit I mposhti Senegalin me shifrat 3-1.
Pjesa e parë u mbyll pa gola dhe me pak raste të rrezikshme, ndërsa “Gjelat” e ngritën ndjeshëm ritmin në pjesën e dytë.
Franca kaloi në epërsi në minutën e 66-të, pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga francezët. Kylian Mbappé mori një pasim ideal brenda zonës nga Michael Olise dhe shënoi me një goditje të saktë për 1-0.
Senegali besoi se e kishte gjetur barazimin vetëm dy minuta më pas me Nicolas Jackson, por goli i tij u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.
Franca vijoi të kontrollonte lojën dhe në minutën e 82-të e thelloi epërsinë. Adrien Rabiot asistoi bukur për Bradley Barcola, i cili e kaloi me shumë klas portierin Edouard Mendy dhe realizoi për 2-0.
Kur ndeshja po i afrohej fundit, Senegali rihapi sfidën në minutën e 90+5. Ibrahim Mbaye shënoi pas një veprimi individual shumë të mirë, duke e ngushtuar rezultatin në 2-1.
Megjithatë, shpresa e afrikanëve zgjati fare pak. Vetëm një minutë më vonë, në kohën shtesë, Mbappé vulosi fitoren e Francës me një supergol nga 25 metra. Sulmuesi francez goditi fuqishëm nga distanca dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke e lënë Mendy-n pa asnjë mundësi reagimi për rezultatin përfundimtar 3-1.
Sulmuesi kryesor i Francës e përfundoi ndeshjen me dy gola dhe ishte pa diskutim figura qendrore e përballjes, duke dhënë një sinjal të fortë që në paraqitjen e parë në Botëror. Me këtë fitore, Franca merr vendin e parë në grup dhe rikonfirmon veten si një prej favoritëve kryesorë për trofeun. /


