Roberto Martinez besohet se do ta mbyllë mandatin si trajner i Kombëtares së Portugalisë menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, pa marrë parasysh se deri ku mund të arrijë ekipi në këtë turne.
Burimet e fundit bëjnë të ditur se tekniku spanjoll, i cili është 52 vjeç, e ka marrë këtë vendim që para fillimit të Botërorit. Sipas talkSPORT, ai nuk ka ndërmend të zgjasë kontratën e tij, e cila vlen vetëm deri në fund të muajit korrik.
Pas tri vitesh në drejtimin e Portugalisë, Martinez duket se është gati të hapë një kapitull të ri në karrierë. Ai po vlerëson mundësinë e rikthimit në futbollin e klubeve, ndërsa një kthim në Ligën Premier mbetet në tavolinë. Po ashtu, emri i tij është përmendur edhe për disa role të rëndësishme në Evropë.
Në të njëjtën kohë, mbetet e hapur edhe mundësia që në të ardhmen ai të marrë drejtimin e një kombëtareje tjetër.
Bilanci i tij te Portugalia ka sjellë rezultate të përziera. Skuadra u ndal nga Franca në çerekfinalen e Euro 2024 pas penalltive, por më pas portugezët dhanë përgjigje të fortë duke mundur Spanjën në finalen e Ligës së Kombeve verën e kaluar.
Tashmë objektivi i Martinez është që ta përfundojë sa më mirë aventurën e tij me Portugalinë, duke synuar t’i dhurojë vendit trofeun e parë të Kupës së Botës në histori.
Trajneri spanjoll ka përvojë edhe nga dy edicione të Botërorit me Kombëtaren e Belgjikës. Në vitin 2018 ai e çoi Belgjikën deri te vendi i tretë, ndërsa katër vjet më pas përjetoi zhgënjim të madh, pasi skuadra u eliminua që në fazën e grupeve.
Portugalia shihet si një nga pretendentet kryesore për triumfin në Kupën e Botës 2026, duke pasur një përbërje me shumë yje dhe cilësi në çdo repart.
Fushata e tyre në këtë turne do të nisë me ndeshjen ndaj Kongos, ndërsa në Grupin K do të përballen gjithashtu me Uzbekistanin dhe Kolumbinë.


