Interi ka hedhur hapin e parë për të afruar Curtis Jones, duke paraqitur një ofertë fillestare prej 20 milionë eurosh për mesfushorin e Liverpoolit.
Sipas asaj që raporton Gazzetta dello Sport, klubi zikaltër e ka prej kohësh në vëzhgim futbollistin anglez dhe tani ka vendosur të konkretizojë interesimin me një propozim zyrtar.
Nuk është hera e parë që skuadra nga Milano provon për transferimin e tij, pasi një tentativë ishte bërë edhe në afatin kalimtar të janarit, por pa arritur rezultat.
Jones është i lidhur me Liverpoolin me kontratë deri në qershor të vitit 2027. Pavarësisht kësaj, raportimet tregojnë se 25-vjeçari nuk e përjashton një transferim në Itali, ndërsa edhe disa sinjale nga bashkëlojtarët e tij kanë shtuar idenë për një largim të mundshëm.
Gjithsesi, oferta e parë e Interit nuk arrin nivelin e kërkuar nga klubi anglez, pasi Liverpooli e vlerëson lojtarin rreth 30 milionë euro.
Te Interi e dinë se do të duhet ta përmirësojnë ofertën nëse duan ta finalizojnë marrëveshjen, por synimi i klubit italian është që bisedimet të vazhdojnë në ditët e ardhshme, me shpresën për të fituar garën për mesfushorin dhe për t’i dhënë trajnerit Cristian Chivu afrimin e parë të verës.


