Kupa e Botës ka dëshmuar sërish se politika dhe sporti shpesh ecin paralelisht, ndërsa shembulli më i fundit vjen nga kampi i përfaqësueses së Iranit.
Pjesëmarrja e anësorit ofensiv Mehdi Torabi në vazhdim të këtij turneu është vënë seriozisht në pikëpyetje, pasi media shtetërore iraniane raportoi se viza e tij amerikane skadoi menjëherë pas ndeshjes hapëse ndaj Zelandës së Re, e cila përfundoi 2-2.
Kjo çështje ka shtuar më tej tensionet diplomatike, që edhe ashtu ishin të larta, mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Në dallim nga bashkëlojtarët e tij, të cilët morën viza me shumë hyrje, Torabi ishte pajisur me një vizë që lejonte vetëm një hyrje në Shtetet e Bashkuara.
Irani barazoi 2-2 me Zelandën e Re në Los Angeles, ndërsa agjencia shtetërore e lajmeve IRNA konfirmoi se viza e Torabit përfundoi menjëherë pas kësaj ndeshjeje.
Federata Iraniane e Futbollit e nisi me urgjencë procedurën për sigurimin e një vize të re, në mënyrë që futbollisti të mund ta vazhdonte turneun, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për epilogun.
Megjithëse agjencia nuk sqaroi nëse Torabi mundi të largohej pa vështirësi nga territori amerikan, u bë e ditur se të gjithë anëtarët e kombëtares hipën në avionin që u nis për në Meksikë pas përfundimit të ndeshjes.
Pikërisht Meksika shërben si baza e përkohshme e ekipit iranian, e zgjedhur për arsye sigurie për shkak të tensioneve të fundit ushtarake në Lindjen e Mesme, ku është përfshirë edhe SHBA-ja.
Edhe pse ndërkohë të dyja vendet kanë arritur një marrëveshje paraprake për t’i dhënë fund konfliktit, futbollistët iranianë janë të detyruar të udhëtojnë vazhdimisht brenda dhe jashtë SHBA-së për çdo ndeshje të fazës së grupeve.
Kjo nuk përbën goditjen e parë administrative për Iranin në këtë turne. Zyrtarë në Teheran kishin bërë të ditur më herët se Shtetet e Bashkuara refuzuan të lëshonin viza për deri në 15 anëtarë të delegacionit të tyre, gjë që ndikoi ndjeshëm në logjistikën dhe përgatitjet e ekipit kombëtar.
Për ta rënduar edhe më shumë situatën, IRNA raportoi në një njoftim tjetër se problemi me vizën e Torabit nuk ishte i vetmi me të cilin u përball skuadra gjatë largimit nga Los Angeles. Konkretisht, kapiteni i kombëtares, Mehdi Taremi, së bashku me një anëtar të stafit profesional, u përballën me shqetësime dhe vonesa serioze në aeroport përpara nisjes drejt Meksikës.
Autoritetet amerikane dhe organizatorët e kampionatit deri tani kanë refuzuar të japin komente për këto zhvillime.
Irani tani ndodhet përballë një gare të vështirë me kohën dhe administratën. Përfaqësuesja duhet të rikthehet në Los Angeles të dielën, ku do të përballet me Belgjikën në ndeshjen e dytë të Grupit G, ndërsa më 26 qershor e pret dueli ndaj Egjiptit në Seattle.
Mbetet krejtësisht e paqartë nëse Torabi do të marrë dritën jeshile për t’u rikthyer në territorin amerikan deri atëherë.


