Alarm te Zvicra para përballjes me Bosnjën dhe Hercegovinën, deri në ndeshje do të zhvillojnë vetëm një stërvitje

Lajme

Pas barazimit zhgënjyes ndaj Katarit në ndeshjen e parë të Kupës së Botës, përfaqësuesja e Zvicrës është vënë nën presion të madh.

Teksa tifozët boshnjakë e presin këtë duel me optimizëm dhe vetëbesim të lartë, në kampin zviceran mbizotëron një atmosferë alarmi, shkruan Blick.


Zvicra duhet patjetër të synojë fitoren ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës të enjten, nëse dëshiron të shmangë një skenar dramatik dhe të pasigurt në raundin e fundit kundër nikoqirit Kanada, para 54,000 tifozëve të zjarrtë në Vankuver.

Vetëm dy javë para udhëtimit drejt SHBA-së, gjithçka dukej në rregull në kampin zviceran. Grupi B vlerësohej, të paktën në letër, si një nga më të lehtët e turneut. Atmosfera ishte shumë e mirë, nuk raportoheshin lëndime dhe publiku e cilësonte këtë si Kupën e Botës më të suksesshme në histori.

Megjithatë, zhgënjimi dhe barazimi 1-1 ndaj Katarit, një kundërshtar krejtësisht i pafuqishëm, ndryshuan gjithçka. Tani zviceranët janë vënë në pozitë të vështirë dhe përballë Bosnjës dhe Hercegovinës e kanë “thikën në fyt”.

Humbja e papritur e pikëve ndaj Katarit e ka futur Zvicrën në një situatë ku praktikisht po luan gjithçka që në ndeshjen e raundit të dytë. Për të siguruar një vend në fazën eliminatore, do t’u duhen të paktën katër pikë.

Tre barazime me shumë gjasë nuk do të mjaftojnë, duke pasur parasysh se katër nga dymbëdhjetë skuadrat e renditura në vendin e tretë eliminohen pas fazës së grupeve.

Për këtë arsye, efikasiteti duhet të përmirësohet menjëherë, ndërsa gabimet në mbrojtje duhet të reduktohen sa më shumë.

Brenda ekipit tashmë kanë nisur të shfaqen tensione të lehta, lidhur me faktin nëse të gjithë e kuptojnë seriozitetin e situatës. Kapiteni i kombëtares u tregua krejtësisht i hapur dhe i drejtpërdrejtë në kritikat e tij.

“Nuk jemi aty ku mendonim se ishim para nisjes së turneut”, tha Granit Xhaka.

Në anën tjetër, ndihmëstrajneri Davide Calla u shfaq dukshëm më pak autokritik në një prononcim për transmetuesin zviceran SRF. Në vlerësimin e tij të shkurtër, ai tha se ekipit i mungoi pak më shumë qëndrueshmëri dhe vendosmëri në fushë.

Edhe plani përgatitor i trajnerit Murat Yakin dhe stafit të tij ka shkaktuar njëfarë habie në opinion.

Mes dy ndeshjeve, skuadra do të zhvillojë vetëm një seancë të rregullt të përbashkët stërvitore. Të dielën, pas ndeshjes me Katarin, u stërvitën vetëm lojtarët që nuk luajtën nga fillimi, ndërsa të hënën stërvitja e paraparë nga Yakin u anulua plotësisht, në mënyrë që futbollistët të rikuperoheshin individualisht në hotel.

Në këtë mënyrë, e marta mbeti dita e vetme për stërvitje të mirëfilltë taktike me gjithë ekipin. Më pas, të mërkurën në mëngjes, do të zhvillohet vetëm një seancë e lehtë përfundimtare, para se kombëtarja zvicerane të niset me autobus drejt Los Angelesit, ku të enjten e pret ndeshja vendimtare kundër Bosnjës dhe Hercegovinës.

Promo