Guillermo Ochoa sinjalizon se mund të tërhiqet pas Kupës së Botës

Lajme

Ikona e futbollit meksikan, Guillermo Ochoa, ka lënë të nënkuptohet se Kupa e Botës 2026 mund të jetë turneu i fundit i karrierës së tij si profesionist.

Portieri 40-vjeçar po merr pjesë në Botërorin e tij të gjashtë, duke barazuar kështu rekordin e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit për numrin më të lartë të paraqitjeve në këtë garë prestigjioze.


Ochoa ka qenë pjesë e çdo liste të Meksikës për Kupën e Botës që nga viti 2006, edhe pse debutimin e tij në fushë e bëri vetëm në edicionin e vitit 2014 në Brazil. Pikërisht në atë turne ai fitoi statusin e heroit kombëtar falë paraqitjeve mbresëlënëse, sidomos në ndeshjen ndaj Brazilit në fazën e grupeve.

Katër vite më pas, në Rusi, ai spikati sërish duke qenë një nga figurat kyçe në fitoren historike 1-0 kundër Gjermanisë. Ndërkohë, në Katar 2022, Ochoa priti penalltinë e Robert Lewandowskit në barazimin 0-0 ndaj Polonisë.

Tani pjesë e AEL Limassol, veterani meksikan ishte në stol në fitoren 2-0 të Meksikës ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të Botërorit, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse do të aktivizohet në përballjet e mbetura të grupit kundër Koresë së Jugut dhe Republikës Çeke.

Në një intervistë prekëse për FIFA-n, në kuadër të serisë “Letters That Unite”, Ochoa shpërtheu në lot teksa lexonte një mesazh nga vajza e tij, Lucciana. Ishte pikërisht në atë moment që ai la të kuptohej se fundi i rrugëtimit të tij me kombëtaren mund të nënkuptojë edhe mbylljen e karrierës së tij.

“Kam nisur të luaj futboll që në moshën dhjetëvjeçare. Mes shkollës dhe futbollit, ka pasur shumë pak kohë për të bërë gjërat që zakonisht bëjnë fëmijët”.

“Ka gjëra që duhet t’i vendosësh në peshore dhe t’i sakrifikosh kur je kaq i ri. Udhëtimet e shkollës, ekskursionet e maturës, mundësia për të studiuar jashtë vendit – janë shumë gjëra që i humbet”.

“Ka qenë një cikël i vazhdueshëm për më shumë se 22 ose 23 vjet, me shumë pak kohë për pushim, për familjen apo për të kaluar kohë me ta”.

“Kombëtarja e Meksikës ka qenë gjithmonë busulla ime, drejtimi im si në karrierë, ashtu edhe në jetë. Nuk mund ta imagjinoj karrierën time pa përfaqësuesen”.

“Dhe tani që koha ime me kombëtaren po shkon drejt fundit, nuk shoh më kuptim te futbolli, nuk shoh më arsye për të vazhduar të luaj”.

“Nuk e shoh arsyen për të vazhduar”, tha Ochoa mes lotësh.

Më pas, ndërsa përpiqej të përmbante emocionet, ai shtoi: “Kam shijuar çdo çast këtu. Kam dhënë gjithçka nga vetja. Largohem i qetë, me kokën lart dhe krenar për gjithçka që kam jetuar”.

Nëse nuk aktivizohet më në këtë Botëror, ndeshja e tij e fundit mund të ketë qenë jo vetëm me fanellën e Meksikës, por edhe në të gjithë karrierën e tij profesionale, duke i dhënë fund një rrugëtimi të jashtëzakonshëm që ka zgjatur më shumë se dy dekada./

Promo