Nga barazimi historik me Spanjën te liga vendase, rrëfimi i veçantë i futbollit në Kepin e Gjelbër

Lajme

Barazimi historik i Kepit të Gjelbër përballë Spanjës në Kupën e Botës e ka rikthyer vëmendjen te futbolli i këtij shteti ishullor, duke zgjuar kureshtjen e tifozëve për mënyrën si është i organizuar kampionati vendas.

Shumë njerëz mund të kujtojnë një moment viral nga finalja e Kampionatit Kombëtar të vitit 2022 mes Academica do Mindelo dhe Palmeira do Sal, kur topi i ndeshjes mbërriti në fushë i sjellë nga një djalosh i hipur në një gomar.


Këto pamje u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u kthyen në një simbol të kulturës së veçantë futbollistike të Kepit të Gjelbër. Por kjo nuk është arsyeja e vetme pse futbolli në këtë vend shihet si unik.

Një kampionat i formuar nga gjeografia e vendit

Sistemi i futbollit në Kepin e Gjelbër është i lidhur ngushtë me veçoritë gjeografike të shtetit.

Vendi përbëhet nga nëntë ishuj të banuar dhe secili prej tyre zhvillon kampionatin e vet rajonal me një numër relativisht të kufizuar skuadrash.

Në ishujt më të mëdhenj, si Santiago dhe Sao Vicente, organizohen madje edhe disa gara paralele për shkak të numrit më të lartë të klubeve.

Fituesit e kampionateve rajonale, bashkë me kampionin në fuqi të vendit, sigurojnë një vend në fazën finale kombëtare, ku në total 12 skuadra garojnë për titullin.

Udhëtimet mes ishujve, pengesa kryesore

Ky format është ndërtuar kryesisht për arsye ekonomike dhe logjistike. Udhëtimet nga një ishull në tjetrin janë të shtrenjta dhe shpesh të vështira për t’u organizuar, ndaj federata përpiqet që ndeshjet t’i zhvillojë në blloqe të caktuara dhe në një ishull të vetëm për të ulur kostot.

Si pasojë, sezoni ndahet në dy faza të dallueshme: garat intensive lokale nëpër ishuj dhe faza kombëtare, e cila zakonisht zgjat rreth tre muaj.

Kampionët aktualë dhe lidhja me kombëtaren

Palmeira, skuadra që humbi finalen e famshme të vitit 2022, është kampione e Kepit të Gjelbër për vitin 2025 dhe që prej asaj kohe ka arritur ta fitojë titullin kombëtar edhe dy herë të tjera.

Megjithatë, futbolli vendas aktualisht nuk e furnizon drejtpërdrejt përfaqësuesen kombëtare.

Në ekipin që po shkëlqen në arenën ndërkombëtare nuk ka futbollistë që luajnë në kampionatin vendas, ndërsa vetëm një numër i vogël lojtarësh e kanë nisur karrierën në ligat lokale të ishujve.

Pikërisht për këtë arsye, veteranë si portieri 40-vjeçar Vozinha dhe mbrojtësi 38-vjeçar Stopira vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm.

Të dy janë produkte të futbollit të Kepit të Gjelbër dhe përfaqësojnë lidhjen mes kampionatit vendas dhe suksesit të kombëtares në skenën ndërkombëtare.

Promo