Kush është Vozinha? Gardiani 40-vjeçar që befasoi Spanjën në debutimin e tij në Kupën e Botës dhe ‘fitoi’ afro 6 milionë ndjekës

Lajme

Portieri i Përfaqësueses së Kepit të Gjelbër, Vozinha, bëri një debutim të paharrueshëm në Kupën e Botës në moshën 40-vjeçare.

Me shtatë pritje vendimtare, ai ndihmoi Kepin e Gjelbër të merrte një barazim 0-0 ndaj Spanjës, një prej favoritëve të turneut, duke i siguruar vendit të tij një pikë historike.


Ky përfaqësoi kulmin e karrierës së portierit veteran.

Pjesa dërrmuese e rrugëtimit të tij futbollistik ka kaluar në klube më të vogla në vende të ndryshme të botës, me eksperienca në Angola, Moldavi, Qipro dhe Sllovaki – një karrierë e karakterizuar nga lëvizje të vazhdueshme, përpara se të shpërthente në Kupën e Botës.

Aktualisht, ai është pjesë e skuadrës portugeze Chaves, e cila garon në kategorinë e dytë të futbollit në Portugali.

Vozinha është nofka që Josimar Jose Evora Dias mban që nga fëmijëria.

Ky emër ka një domethënie në portugalisht dhe në kreolën e Kepit të Gjelbër, duke u përkthyer afërsisht si “gjyshe e vogël” – një referencë ndaj lidhjes së fortë që ai kishte me gjyshërit, të cilët kontribuan në rritjen e tij, ndërsa prindërit shpesh largoheshin për punë.

Me kalimin e kohës, kjo nofkë e shoqëroi gjatë gjithë karrierës dhe u kthye në identitetin me të cilin ai njihet sot në skenën ndërkombëtare.

Pas ndeshjes me Spanjën, Vozinha nuk arriti t’i përmbante lotët teksa emocionet e pushtuan.

“Po qaj sepse jam rritur me gjyshërit e mi dhe ata nuk janë këtu… ata ndërruan jetë disa vite më parë”, u shpreh fillimisht Vozinha.

“As mami im nuk ishte këtu sot. Ajo pati probleme me vizën dhe me paratë për të udhëtuar, por unë jam sot shumë i lumtur për të gjithë njerëzit e Kepit të Gjelbër”, përfundoi portieri.

Pas barazimit të Kepit të Gjelbër ndaj Spanjës, Vozinha ka shkuar në 5.7 milionë ndjekës në Instagram, nga 50 mijë që kishte para ndeshjes, ndërsa kjo shifër vazhdon të rritet, duke e kthyer atë në një nga sensacionet e fillimit të këtij Botërori.

Promo