Donald Trump pritet të shkelë protokollin e FIFA-s në finalen e Kupës së Botës

Lajme

Donald Trump, 80 vjeç, pritet të lejohet që t’ua dorëzojë vetë trofeun fituesve të Kupës së Botës dhe të qëndrojë me ta në podium gjatë festimeve, duke dalë jashtë protokollit të zakonshëm të FIFA-s.

Presidentit të SHBA-së i është bërë tashmë e ditur se FIFA dëshiron që ai t’ua japë kupën kampionëve të rinj. Në ceremoninë përmbyllëse të turneut do të ftohen gjithashtu edhe përfaqësues nga Meksika dhe Kanadaja, raporton “talkSPORT”.


Trump kishte tërhequr vëmendje edhe më parë në Kupën e Botës për Klube, kur qëndroi pranë kapitenit të Chelseat, Reece James, teksa ky i fundit ngriti trofeun. Në atë çast, Cole Palmer u duk dukshëm i habitur, ndërsa qëndronte menjëherë pas presidentit amerikan. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, fillimisht tentoi ta largonte Trumpin nga skena, por më pas e inkurajoi të qëndronte gjatë ceremonisë.


Sipas protokollit të FIFA-s, trofeu vendoset fillimisht në një piedestal dhe më pas transportohet në podium nga një anëtar i ekipit fitues. Megjithatë, burime të “talkSPORT” pranë zhvillimeve bëjnë të ditur se FIFA do t’i japë Trumpit mundësinë të vendosë vetë nëse dëshiron të qëndrojë me skuadrën gjatë ceremonisë së trofeut apo t’u bashkohet zyrtarëve të tjerë në skenë.

Burime të “talkSPORT” nga Shtëpia e Bardhë mendojnë se Trump do të zgjedhë sërish të festojë me ekipin fitues, duke qëndruar pranë lojtarëve në çastin kur trofeu të ngrihet lart.

Për shkak të angazhimeve të tjera, Trump nuk ishte i pranishëm në fitoren hapëse të kombëtares së SHBA-së ndaj Paraguait me rezultatin 4-1, por ka konfirmuar se do të marrë pjesë në finalen e Kupës së Botës, që do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin “MetLife”.

Po ashtu, burime nga Shtëpia e Bardhë nuk e hedhin poshtë mundësinë që presidenti amerikan të ndjekë edhe disa ndeshje të tjera gjatë turneut, në varësi të axhendës së tij zyrtare.

Përgatitjet për turneun janë shoqëruar edhe nga polemika të tjera, mes tyre kritikat për çmimet e larta të biletave dhe produkteve në stadiume, si edhe debatet lidhur me numrin e madh të ekipeve pjesëmarrëse.

Promo