Egjipti e hapi aventurën e tij në Kupën e Botës 2026 me një barazim 1-1 përballë Belgjikës në Grupin G. Krahas emrave të njohur si Mohamed Salah dhe Omar Marmoush, përfaqësuesja afrikane ka marrë vëmendje edhe për disa emra të veçantë në përbërjen e saj.
Te kombëtarja egjiptiane bëjnë pjesë lojtarë që njihen si Trezeguet, Dunga dhe Zico. Në pamje të parë, këta emra të sjellin ndër mend legjenda të futbollit francez dhe brazilian, por në të vërtetë ata janë futbollistë egjiptianë që mbajnë nofka të veçanta.
Trezeguet është Mahmoud Ahmed Ibrahim Hassan, Dunga është Nabil Emad, ndërsa Zico quhet Mostafa Mohamed Zaki Abdelraouf.
Në Egjipt, nofkat janë pjesë e traditës së futbollit dhe shpeshherë bëhen më të njohura se vetë emrat e lojtarëve. Ato shfaqen jo vetëm në fanella, por edhe në profile zyrtare, në mediat sportive dhe madje në listat e FIFA-s.
Si u krijua nofka “Trezeguet”?
Mahmoud Hassan e mori nofkën “Trezeguet” kur ishte vetëm nëntë vjeç, në akademinë e Al Ahlyt në Kajro.
Trajneri i tij, Badr Ragab, mendonte se ai i ngjante legjendës franceze David Trezeguet, jo vetëm për modelin e flokëve, por edhe për nuhatjen e jashtëzakonshme për golin.
“Që kur erdhi te skuadra jonë, ai shënonte gjithmonë më shumë se të gjithë. I ngjante shumë Trezeguet dhe ishte i shkëlqyer në lojën ajrore”, ka kujtuar trajneri i tij.
Më pas, Trezeguet ndërtoi një karrierë të suksesshme në Evropë, sidomos në Turqi me Kasimpasan dhe Trabzonsporin. Ai provoi edhe futbollin në Premier League me Aston Villan.
Sot, ai vlerësohet si një nga figurat më të rëndësishme të kombëtares së Egjiptit dhe mban rolin e zëvendëskapitenit pas Mohamed Salahut.
Dunga i Egjiptit
Mesfushori Nabil Emad prej vitesh njihet me nofkën “Dunga”.
Ky emër iu vendos nga ish-drejtori sportiv i Pyramids FC, Wael Habib, i cili ishte admirues i madh i legjendës braziliane Dunga dhe mendonte se loja e Emadit i ngjante asaj të tij.
Si një mesfushor mbrojtës luftarak dhe plot energji, ai e fitoi shpejt këtë nofkë, e cila e shoqëron edhe sot.
Dunga ka luajtur mbi 150 ndeshje me Pyramids dhe më pas mbi 120 me Zamalekun, duke u kthyer në një nga mesfushorët më të njohur të futbollit egjiptian.
Historia prekëse e Zicos
Nofka “Zico” ka një histori krejt ndryshe.
Babai i Mostafa Mohamed Zaki Abdelraouf ishte një tifoz i madh i futbollit brazilian dhe përdorte emrat e futbollistëve të famshëm për djemtë e tij.
Në fillim, këtë nofkë e mbante vëllai i madh, por më vonë Mostafa u bë i njohur si “Zico i vogël”.
“Kur ishim fëmijë, shikonim videot e Zicos dhe përpiqeshim ta imitonim. Më pas nofka mbeti përgjithmonë”, ka treguar futbollisti.
Sot, në moshën 29-vjeçare, ai po jeton momentin më të madh të karrierës së tij, pasi është pjesë e skuadrës së Egjiptit në Kupën e Botës 2026.
Beckham, Nedved dhe madje Obama
Lista e nofkave të pazakonta në futbollin egjiptian nuk mbaron këtu.
Karim Walid njihet si “Nedved”, ndërsa Ahmed Ramadan mban nofkën “Beckham”, edhe pse luan si mbrojtës qendror. Arsyeja lidhet me faktin se kur ishte fëmijë ishte specialist i goditjeve standarde dhe trajnerët e krahasonin me David Beckhamin.
Një tjetër rast interesant është Youssef Ibrahim, i njohur gjerësisht si “Obama”. Kjo nofkë iu vendos gjatë futbollit të të rinjve për shkak të ngjashmërisë fizike me ish-presidentin amerikan Barack Obama.
Po Zidane?
Shumë tifozë kujtojnë edhe Mohamed Zidanin, ish-sulmuesin e Borussia Dortmundit, Mainzit dhe Hamburgut.
Megjithatë, ndryshe nga rastet e tjera, mbiemri i tij nuk ishte nofkë. Emri i tij i plotë ishte Mohamed Abdallah Zidan dhe fjala “Zidan” është një emër i zakonshëm arab, pa lidhje me legjendën franceze Zinedine Zidane.
Pavarësisht kësaj, vetë futbollisti ka pranuar se në fëmijëri shihte videot e Zidane dhe përpiqej të imitonte lëvizjet e njërit prej lojtarëve më të mëdhenj në histori.
Kështu, përveç emrave të mëdhenj si Salah dhe Marmoush, kombëtarja e Egjiptit sjell në Kupën e Botës 2026 edhe një koleksion unik nofkash që e bën futbollin egjiptian një nga më interesantët dhe më të veçantët në botë.


