Katër vite më parë në Katar, Lionel Messi mbylli debatin për futbollistin më të madh të të gjitha kohërave, duke e udhëhequr Argjentinën drejt fitores në finalen e Kupës së Botës kundër Francës.
Megjithatë, te përfaqësuesja franceze ishte një lojtar që dukej se zotëronte cilësitë e duhura për ta rikthyer një ditë atë diskutim. Ishte fjala për Kylian Mbappé, i cili në finalen madhështore në Lusail realizoi një het-trik dhe fitoi Këpucën e Artë të turneut, duke shënuar më shumë gola se Messi.
Me golin e barazimit në kohën shtesë, Mbappé e çoi në katër totalin e golave të tij në finalet e Kupës së Botës, duke kaluar figura legjendare si Geoff Hurst, Vavá, Pelé dhe Zinedine Zidane.
Në atë periudhë, Mbappé ishte vetëm 23 vjeç dhe shumë njerëz mendonin se epoka e tij sapo kishte nisur. Por, katër vjet më pas, sulmuesi francez ende nuk ka arritur të fitojë as Topin e Artë dhe as Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, bashkëlojtari i tij Ousmane Dembélé mund ta mbyllë këtë verë me dy Topa të Artë dhe dy trofe madhorë në koleksionin e tij.
Ironia është se bëhet fjalë për të njëjtin Dembélé që regjistroi një nga paraqitjet më të dobëta të karrierës pikërisht në finalen e Botërorit 2022, aq sa prestigjiozja franceze L’Equipe nuk i vendosi fare notë për performancën e tij.
Nga talent i rrallë te lojtari që zhgënjente vazhdimisht
Shpejtësia e Dembélé ishte një armë e rëndësishme për Francën në Katar. Njësoj si Mbappé, ai kishte aftësinë të kalonte mbrojtësit me lehtësi.
Por këtu përfundonin ngjashmëritë mes tyre. Mbappé ishte vazhdimisht një kërcënim për portën kundërshtare dhe një lojtar që spikaste në sfidat e mëdha. Ndërsa Dembélé kritikohej shpesh për shpërdorimin e rasteve dhe për pamundësinë për të bërë diferencën në çastet vendimtare.
Një ndër kujtimet më të dhimbshme nga koha e tij te Barcelona mbetet gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit në vitin 2019.
Në fundin e ndeshjes së parë, Messi i kishte krijuar një mundësi ideale për të vulosur kualifikimin, por Dembélé e humbi atë rast, ndërsa argjentinasi mbeti i zhgënjyer në fushë.
Finalja e Katarit e forcoi reputacionin e tij negativ
Gjithsesi, asgjë nuk krahasohet me atë që ndodhi në finalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës. Dembélé u pozicionua në krahun ku vepronte Ángel Di María dhe diferenca mes paraqitjeve të tyre ishte e qartë.
Di María dominoi plotësisht në atë zonë, fitoi penalltinë prej së cilës Messi shënoi golin e parë dhe më pas realizoi vetë për 2-0.
Ish-mbrojtësi anglez Gary Neville tha se Di María e luajti Dembélé “si një fëmijë të vogël”.
Paraqitja e francezit ishte aq e dobët, sa trajneri Didier Deschamps e zëvendësoi pas vetëm 41 minutash lojë.
Ish-reprezentuesi anglez Stuart Pearce e cilësoi atë si një nga paraqitjet më të dobëta që kishte parë ndonjëherë nga një futbollist profesionist.
“Ai humbi topa, shkaktoi penallti dhe pothuajse asgjë nuk i funksionoi. Ishte si të shikoje një aksident automobilistik”, deklaroi Pearce.
Nga dështimi te statusi i legjendës në Paris
Për shumë tifozë, ajo finale e vulosi imazhin e Dembélé si një prej talenteve më të shpërdoruara të futbollit modern.
Ai kishte shpërthyer te Borussia Dortmund në sezonin 2016/17 dhe ishte pjesë e Francës kampione bote në vitin 2018, por periudha e tij te FC Barcelona u mbyll me shumë zhgënjime.
Kur u largua nga Barcelona në vitin 2023, shumëkush e konsideronte si një nga transferimet më të dështuara në historinë e klubit katalanas.
Megjithatë, karriera e tij mori një kthesë të jashtëzakonshme pas kalimit te Paris Saint-Germain. Nën drejtimin e trajnerit Luis Enrique, Dembélé është transformuar plotësisht, duke kaluar nga një talent i paqëndrueshëm në një nga futbollistët më vendimtarë në Evropë.
Tani, në Kupën e Botës 2026, ai ka mundësinë ideale për ta përmbyllur historinë e tij të jashtëzakonshme. Nëse arrin ta udhëheqë Francën drejt titullit botëror, Dembélé jo vetëm që do të fitojë trofeun më të madh në futboll, por mund të vendosë një dorë të fortë edhe mbi Topin e Artë.


