Belgjika dhe Egjipti ndahen në paqe me nga një gol

Lajme

Belgjika dhe Egjipti e mbyllën në barazim 1-1 ndeshjen e Kupës së Botës 2026, pas një sfide të luftuar deri në çastet e fundit.

Egjipti kaloi i pari në avantazh në minutën e 19-të, pas një aksioni të ndërtuar bukur nga Mohamed Salah.


Ylli egjiptian shërbeu për Emam Ashour, i cili e kontrolloi topin pranë zonës dhe goditi fort në këndin e poshtëm të portës, duke kaluar skuadrën e tij në epërsi 1-0.

Belgjika u përpoq të kundërpërgjigjej gjatë gjithë takimit dhe krijoi disa mundësi të mira për gol.

Në minutën e 53-të, Kevin De Bruyne iu afrua shumë barazimit nga një goditje dënimi, por topi përfundoi në shtyllën e majtë.

Dy minuta më pas, Egjipti pati një rast të mirë për të thelluar epërsinë. Mohamed Salah provoi me kokë, por portieri belg bëri një ndërhyrje vendimtare, ndërsa më pas Emam Ashour nuk arriti të përfitonte nga topi i kthyer.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 66-të në mënyrën më të pafavorshme për Egjiptin. Pas një sulmi të Belgjikës, Mohamed Hany e devijoi topin në rrjetën e portës së tij, duke shkaktuar autogol për 1-1, nën presionin e Romelu Lukakut që ishte futur pak më herët në fushë.

Pas këtij momenti, belgët rritën intensitetin në kërkim të golit të dytë. Youri Tielemans rrezikoi me një goditje të fortë nga largësia, ndërsa Thomas Meunier dhe Brandon Mechele u ndalën nga portieri i shkëlqyer Oufa Shobeir, një prej figurave kryesore që Egjipti arriti ta mbante barazimin.

Në minutën e 83-të, Shobeir bëri pritjen më të bukur të takimit, duke ndalur një goditje me kokë të Brandon Mechele që ishte drejtuar në këndin e sipërm të portës.

Deri në fund, Belgjika vazhdoi të sulmonte dhe Romelu Lukaku shpërdoroi një rast të mirë me kokë në minutën e 87-të, ndërsa në krahun tjetër egjiptianët kërkuan penallti në minutën e 89-të pas rrëzimit të Zizos në zonë, por arbitri Ramon Abatti lejoi vazhdimin e lojës.

Pas 90 minutave, ndeshja u mbyll në barazim 1-1, një rezultat që u dha nga një pikë të vlefshme të dyja përfaqësueseve.

Promo