Nga zyra e bankës në skenën e Kupës së Botës: bankieri që befasoi Spanjën në debutimin historik pasi u ftua përmes rrjeteve sociale

Lajme

Roberto Lopes e mori ftesën për t’iu bashkuar kombëtares përmes rrjeteve sociale, në kohën kur punonte si bankier në Dublin, ndërsa sot u shndërrua në një nga protagonistët e barazimit historik të Kepit të Gjelbër ndaj Spanjës në Kupën e Botës.

Rrëfimi i tij është ndër më të jashtëzakonshmit e turneut 2026 – nga një zyrë bankare deri në arenën më të madhe të futbollit botëror, duke përfaqësuar një shtet ishullor mijëra kilometra larg vendit ku ka lindur.


Nga punonjës banke në figurë të futbollit

“Nuk më pëlqente ajo punë”, kujton Lopes, 33 vjeç, teksa rrëfen udhëtimin e tij nga jeta në zyrë deri te përfaqësimi i Kepit të Gjelbër në paraqitjen e tyre të parë historike në Kupën e Botës.

Mbrojtësi, i njohur me nofkën “Pico”, më parë punonte si këshilltar hipotekor, ndërkohë që në të njëjtën kohë luante futboll gjysmë-profesionist në Irlandë me Bohemians. Në vitin 2017, Shamrock Rovers i dha mundësinë të kthehej në futbollist profesionist, duke mbyllur kapitullin e karrierës në bankë.

Tashmë ai është titullar i rregullt i Kepit të Gjelbër, një kombëtare që po lë gjurmë në debutimin e saj historik në Kupën e Botës 2026.


Vendi i tij në kombëtare erdhi në një mënyrë të pazakontë, përmes LinkedIn

Përzgjedhësi i asaj kohe, Rui Águas, e kontaktoi pasi zbuloi prejardhjen e babait të tij nga Kepi i Gjelbër. Fillimisht, Lopes e shpërfilli mesazhin në LinkedIn, duke menduar se bëhej fjalë për ‘spam’.

“Më shkroi sërish pas disa muajsh dhe atëherë e kuptova se ishte e vërtetë. E pranova menjëherë dhe isha shumë i lumtur që do ta përfaqësoja këtë vend”, shprehej ai.


Sot, historia e tij është bërë një nga tregimet më frymëzuese të këtij turneu, ndërsa Kepi i Gjelbër vijon rrugëtimin e tij historik në grup me Arabinë Saudite dhe Uruguain.

Promo