Portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha, u kthye në një prej emrave më të komentuar të Kupës së Botës 2026 pas paraqitjes së tij të shkëlqyer në barazimin pa gola përballë Spanjës.
Me disa ndërhyrje spektakolare, veterani 40-vjeçar ndali kampionët e Evropës dhe i siguroi kombëtares së tij pikën e parë historike në një Kampionat Botëror.
Emri i tij i plotë është Josimar Jose Evora Dias, ndërsa nofka “Vozinha” e shoqëron që prej fëmijërisë. Aktualisht ai aktivizohet me klubin portugez Chaves dhe ka ndërtuar një karrierë të gjatë me ekipe në Portugali, Qipro, Moldavi dhe Angola.
I lindur më 3 qershor 1986, Vozinha konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme në historinë e futbollit të Kepit të Gjelbër.
Ai ka marrë pjesë në katër edicione të Kupës së Kombeve të Afrikës dhe pati një rol vendimtar në kualifikimin historik të vendit për Kampionatin Botëror 2026.
Në përballjen ndaj Spanjës, portieri veteran ishte i pakalueshëm. Ai neutralizoi tentativat e Ferran Torres, Mikel Oyarzabal, Aymeric Laporte dhe Marc Cucurella, duke u shndërruar në heroin e mbrëmjes.
Falë këtyre pritjeve, ai u shpall “Lojtar i Ndeshjes” nga FIFA dhe platforma SofaScore, ku u vlerësua me notën 9.7.
Paraqitja e tij bëri që shumë tifozë në rrjetet sociale ta krahasonin me Manuel Neuerin dhe me portierë të tjerë që kanë lënë gjurmë në histori.
Pas vërshëllimës përfundimtare, emocionet e pushtuan Vozinhën. Ai shpërtheu në lot ndërsa festonte pikën e parë historike të Kepit të Gjelbër në Kupën e Botës, një çast që do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit të këtij vendi afrikan.


