Spanja aktivizon edhe Yamalin, por mbetet pa e mposhtur Kepin e Gjelbër

Lajme

Spanja nuk arriti të lërë përshtypje në ndeshjen e saj hapëse në Kupën e Botës 2026, pasi hasi në kundërshtim të fortë nga Kepi i Gjelbër në një duel ku kampionët e Evropës e patën të vështirë të krijonin avantazh.

Ekipi i Luis de la Fuente kontrolloi posedimin dhe prodhoi rastet më të mira, por përballë gjeti një Vozinha në formë të shkëlqyer, i cili mbajti gjallë shpresat e përfaqësueses afrikane deri në çastet e fundit.


Mundësia e parë e madhe u regjistrua në minutën e 39-të, kur Ferran Torres goditi traversën nga afër. Topi i kthyer përfundoi te Mikel Oyarzabal, por tentativa e tij me kokë u ndal nga Vozinha me një pritje shumë të mirë.

Pak minuta më pas, Ferran Torres shpërdoroi edhe një rast të pastër, duke mos ia dalë të mposhtte portierin rival nga një pozicion ideal brenda zonës.

Në kërkim të fitores, Luis de la Fuente futi në lojë edhe Lamine Yamal, Nico Williams dhe Dani Olmo, ndërsa Kepi i Gjelbër u mbrojt me disiplinë dhe organizim për t’u vlerësuar.

Madje, përfaqësuesja afrikane iu afrua shumë një befasie historike në minutën e parë shtesë. Pas një goditjeje nga këndi, Diney Borges kërceu më lart se të gjithë dhe goditi fort me kokë drejt cepit të portës, por Unai Simón bëri një pritje spektakolare që shpëtoi Spanjën.

Në fund, spanjollët nuk gjetën dot golin përballë një Kepi të Gjelbër që tregoi karakter, disiplinë dhe organizim të shkëlqyer, duke fituar respektin e të gjithëve me paraqitjen e tij në debutimin botëror.

Promo