Nga kampi i refugjatëve te skena më e madhe e futbollit, rrugëtimi frymëzues i Nestory Irankundës

Lajme

Kur Nestory Irankunda e dërgoi topin në rrjetë ndaj Turqisë në ndeshjen debutuese të Australisë në Kupën e Botës 2026, ai nuk i siguroi vetëm epërsinë skuadrës së tij.

Me atë gol, ai vulosi një rrugëtim të jashtëzakonshëm që kishte nisur dy dekada më parë në një kamp refugjatësh në Tanzani.


20-vjeçari shënoi golin e parë në triumfin 2-0 të Australisë kundër Turqisë në Vancouver, duke ndihmuar “Socceroos” të realizojnë një nga befasitë e para të këtij turneu.


Falë këtij realizimi, Irankunda u bë golashënuesi më i ri i Australisë në një Kupë Bote, si edhe lojtari i parë i lindur jashtë vendit që gjen rrugën e rrjetës për kombëtaren australiane në një Botëror.

Nga refugjat në një talent të futbollit evropian

Irankunda lindi më 9 shkurt 2006 në Kigoma të Tanzanisë, aty ku prindërit e tij nga Burundi kishin gjetur strehim pasi ishin larguar nga lufta civile që kishte përfshirë vendin e tyre.

Kur ishte ende foshnjë, familja u shpërngul në Australi në kërkim të një jete më të mirë. Në fillim u vendosën në Perth, ndërsa më pas kaluan në Adelaide, qyteti ku mori jetë edhe rrugëtimi i tij në futboll.

Aftësitë e tij u vunë re shumë herët. Shpejtësia, fuqia fizike dhe zotësia për të vendosur ndeshje e kthyen në një nga talentet më premtues të futbollit australian. Paraqitjet me Adelaide United tërhoqën interesin e klubeve evropiane dhe në vitin 2024 ai nënshkroi me Bayern Munich.

Megjithatë, periudha në Gjermani nuk ishte e thjeshtë. Pas një eksperience me ekipin rezervë të Bayern Munich dhe një huazimi te Grasshopper në Zvicër, Irankunda zgjodhi të transferohej te Watford në Angli për të marrë më shumë minuta në fushë dhe për të siguruar një vend në përfaqësuesen australiane për Botërorin 2026.

Ky vendim doli të ishte i duhuri. Paraqitjet e tij bindën trajnerin Tony Popovic, i cili e përfshiu në listën përfundimtare për Kupën e Botës.

Simbol i Australisë së sotme

Djali i refugjatëve afrikanë është sot një nga simbolet e Australisë moderne dhe multikulturore. Kombëtarja australiane në këtë Botëror përfshin shumë futbollistë me prejardhje emigrante, ndërsa Irankunda është shndërruar në një nga figurat më përfaqësuese të këtij brezi të ri.

Pas golit kundër Turqisë, ai festoi duke vrapuar drejt flamurit të këndit dhe duke përsëritur festimin legjendar të Tim Cahill, futbollistit që shumëkush e konsideron si më të madhin në historinë e Australisë.

Nga një kamp refugjatësh në Tanzani deri te një gol në Kupën e Botës, historia e Nestory Irankundës është një dëshmi se futbolli vazhdon të sjellë rrëfime që shkojnë përtej sportit.

Promo